Secondary Adv

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, mblidhet sot Këshilli i Mandateve për shqyrtimin e imunitetit

SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke argumentuar se pozita e saj penale është rënduar dhe ekziston rrezik real për pengim të hetimit.

Sot shqyrtohet kërkesa e SPAK në Kuvend

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Mbledhja zhvillohet mes debateve politike, ku Partia Demokratike dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, janë përplasur më herët për mënyrën e trajtimit të materialeve hetimore, të cilat janë administruar si sekret hetimor dhe janë depozituar në kasafortën e protokollit.

 

Akuzat: manipulim tenderësh dhe presion ndaj dëshmitarëve

Në relacionin zyrtar të dorëzuar në Kuvend, SPAK rendit arsyet pse kërkon arrestimin e Ballukut. Sipas prokurorisë, ajo dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë publikë me një vlerë totale prej rreth 1.2 miliardë eurosh, ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe, për shkak të funksionit dhe personalitetit të saj, ekziston rreziku që të kryejë vepra të tjera penale ose të ndikojë në procesin hetimor.

 

E drejta e mbrojtjes dhe procedura parlamentare

Gjatë mbledhjes së sotme, zëvendëskryeministrja ka të drejtë të paraqitet personalisht ose përmes një avokati mbrojtës për të dhënë shpjegimet e saj. Në të njëjtën kohë, prokurorët e SPAK do të paraqesin provat dhe argumentet ligjore që, sipas tyre, justifikojnë masën e arrestimit ndaj një deputeteje në detyrë.

 

Afatet ligjore dhe precedenti

Në raste të ngjashme në të kaluarën, Këshillit të Mandateve i janë dashur të paktën dy mbledhje për të përfunduar shqyrtimin. Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për mbylljen e procesit, por parashikon që raporti përfundimtar të hartohet brenda dy javësh nga mbledhja e fundit dhe të hidhet në votim në seancën plenare më të afërt. Ligji parashikon gjithashtu një afat maksimal prej tre muajsh, pas të cilit, në mungesë vendimi, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e rrëzuar.

 

Vendimet e fundit gjyqësore

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Ballukun, ndërsa nuk shqyrtoi ankimin për pezullimin nga detyra, duke i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi konfliktin e kompetencave të ngritur nga qeveria. Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e saj në detyrë deri në shqyrtimin përfundimtar të ankimit të Këshillit të Ministrave.

 

Hetimet për projektet madhore infrastrukturore

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje në tenderin 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë dhe ndodhet nën hetim edhe për shtatë lotet e Unazës së Madhe me vlerë rreth 450 milionë euro. SPAK dyshon gjithashtu se ajo ka ndikuar në përcaktimin e fituesve në disa tenderë të tjerë, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar me vlerë mbi 245 milionë euro, tenderin për rrugën Porto Romano–Durrës me vlerë 12 milionë euro dhe kontratën për mirëmbajtjen e akseve të veriut me vlerë rreth 440 mijë euro.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat